Mbrëmja e parë e tetorit mblodhi para ekranit të gjithë shqiptarët me “Portokalli”, spektaklin prime time. Aktori i njohur i humorit, Visjan Ukcenaj, i është bashkuar kastit të madh të “Portokallisë”.
I ftuar në rubrikën në “E Diell”, aktori u shpreh se është i lumtur që është pjesë e Top Channel dhe pjesë e “Portokallisë”. Visjani tha se emisioni i “Portokallisë” dikur ka qenë si “Big Brother” një sezon, që shikohej në Bllok dhe kudo.
Sipas Ukcenajt, Portokallia e ka bërë humorin të njohur si dhe u ka dhënë aktorëve një dimension tjetër.
“Ndoshta jo të gjithë e kanë mundësinë të jenë pjesë e Top Medias dhe unë jam shumë i lumtur që jo vetëm jam pjesë, por jam pritur si një personazh ‘i madh’ dhe unë e vlerësoj këtë pritje që më kanë bërë. Jam i lumtur që jam pjesë e Portokallisë, një ndër emisionet më të mira të humorit, madje një ndër emisionet që e ka bërë humorin të njohur dhe u ka dhënë një dimension tjetër aktorëve.
Dikur Portokallia ishte siç është Big Brother një sezon, Portokallia ka qenë pothuajse 7 vite rresht, në Bllok, në çdo vend shikohej Portokallia. Jemi rritur me ëndrrën për të qenë pjesë e një emisioni të tillë”, u shpreh Visjani.
Gjatë intervistës Ronaldo e pyeti nëse ka ndonjë gjë që nuk i pëlqen nga Top Channel dhe Visjani me shumë humor u përgjigj: “Parkimi”.
“Më jep siklet o vlla, kur parkon andej duket sikur do vij një meksikan ‘hola muchachos, dami tu dinero’. Më fut sikletin plako”, tha ai.