Atmosfera mbrëmë që nga fillimi i ndeshjes ka qenë e zjarrtë. Ishte Jasir Asani i cili ndezi tifozerinë shqiptare që në minutën e 9 të takimit. Ish-lojtari i Partizanit veproi njësoj si me Poloninë. Mori topin, hyri nga e djathta e sulmit drejt qendrës dhe shkarkoi të majtën e tij. Topi shkoi në rrjetë, duke shtangur çekët që në minutat e para.
Dhe sigurisht të gjithë të përfshirë nga entuziazmi nuk kemi vënë re disa momente të tjera pikante. Pas përfundimit të ndeshjes, Asani është afruar pranë tribunës ku ka ndërruar bluzën me Ballist Morinën.
“I ndërruam fanellat me Jasirin duke thyer nji TABU (nji futbollist profesionist ndërron fanellën me nji tifoz po aq profesionist) dhe nuk mbaron këtu, me propozimin tim dhe me mirëkuptimin e plotë t’vetë Jasirit fanellën e tij nuk do e mbaj unë por do i dorëzohët kazermës së POLICISË së KOSOVËS me n’veri t’REPUBLIKËS së KOSOVËS n’shenjë respekti,mirënjohjeje dhe mbështëtje për t’gjithë djemtë tanë n’ato anë!Rroftë shpirti i shqiptarit!!!!”, shkruan Ballsit Morina, i cili u bë i njohur në vitin 2014-të, kur futi dronin me flamurin etnik në stadiumin e Beogradit.