Kiara, përmes një postimi në Instagram, ka bërë një rezyme të vitit që lamë pas, duke shkruar se ka qenë një vit sfidues dhe emocionues për të.
“Duke hyrë në vitin më të rëndësishëm të jetës sime”, e nisi ajo postimin, duke e shoqëruar edhe me një emoji të një gruaje shtatzënë.
Më tej, vijoi:
“Viti që po lëmë pas, ka qenë për mua viti më sfidues, por që më solli ndryshimet më të mëdha në jetë. Ka qenë një vit me ulje-ngritje emocionesh. Nuk e kisha menduar kurrë që brenda një viti do të dashurohesha, martohesha, të njihja njeriun e jetës, babain e bebit dhe të ndihesha vajza më e plotësuar në botë, njësoj siç e kisha imagjinuar nëpër ëndrra. Ja që ëndrrat bëhen realitet dhe ka dritë atje lart për këdo që fantazon dhe beson. Ky mund të jetë viti yt, kështu që, kurrë mos i humb shpresat”.
Kiara dhe Luizi konfirmuan se do të bëhen prindër të një vajze përmes një kënge të titulluar “Frymë”.
Moderatorja, pak kohë më parë, e ftuar në “Ftesë në 5” ka folur e emocionuar për këtë përvojë të re. “Nëse jeta ime do të ishte një libër, ky do të ishte kapitulli më i bukur” u shpreh ajo, duke vijuar “[Kur zbulon që je shtatzënë], në ato momente as nuk arrin dot të mendosh të bësh surpriza. Megjithatë, bëra një kuti të vogël, kutia që kam nxjerrë te videoja [e këngës ‘Frymë’] dhe kur erdhi në shtëpi ia tregova. Ai në fillim ngeli, nuk e priste fare edhe bënte atë batutën e testit të Covidit. Më thoshte ‘je pozitive me çfarë?’”.
“Kemi qarë shumë atë ditë. Unë mbaj mend vetëm lot gëzimi,” përfundoi Kiara.