Deri më sot të gjitha qeniet e gjallë janë të vdekshme, përfshirë edhe njeriun. Por, tashmë një burrë pretendon se mund të jetojë përjetësisht. Bryan Johnson po punon për atë që ai e quan “revolucioni më domethënës në historinë e Homo sapiens”.
46-vjeçari është një sipërmarrës teknologjik që ka kaluar shumicën e tre viteve të fundit në ndjekje të një qëllimi të veçantë: të mos vdesë. Gjatë kësaj kohe, ai ka shpenzuar më shumë se 4 milionë dollarë për zhvillimin e një sistemi të zgjatjes së jetës të quajtur ‘Blueprint’.
Ky është një studim ku mjekët marrin të dhënat nga trupi i tij dhe i përdorin për të zhvilluar një regjim të rreptë shëndetësor për të reduktuar atë që Johnson e quan “moshën e tij biologjike.”
Qëllimi është që organet e tij 46-vjeçare të duken dhe të veprojnë si organet e një 18-vjeçari. Johnson thotë se të dhënat e përpiluara nga mjekët e tij sugjerojnë se Blueprint i ka dhënë deri më tani eshtrat e një 30-vjeçari dhe zemrën e një 37-vjeçari.
Johnson ka lëngun e tij të veçantë jeshil. Ai zgjohet në orën 5 të mëngjesit, duke e nisur ditën me një dozë suplementesh dhe ilaçesh si likopeni, zinku dhe metformina, si dhe një mikrodozë litium për trurin e tij. Ai punon një orë çdo ditë, si dhe bën stërvitje me intensitet të lartë tri herë në javë. Ai duhet të respektojë një dietë të rreptë vegane, e cila arrin në 1977 kalori në ditë. Para se të flejë, gjë që ndodh në të njëjtën orë çdo ditë, ai mban syze që bllokojnë dritën blu për dy orë.
