Universiteti i Mjekësisë ka miratuar tarifën e shkollimit për studentët që refuzojnë kontratën detyruese. 2.4 milionë lekë të vjetra është tarifa vjetore për çdo student që nuk pranon të firmosë kontratën për të punuar 2-3 vite pas studimeve në Shqipëri.
Kostoja e studimit është përllogaritur nga një grup i posaçëm pune në Universitetin e Mjekësisë referuar vendimit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje. Kjo tarifë u diskutua në Rektorat, kaloi në senatin e universitetit dhe firmën e fundit e ka dhënë Bordi i Administrimit, pasditen e së hënës.
Burime nga Universiteti i Mjekësisë bëjnë të ditur se tashmë po hartohet kontrata, e cila do t’u paraqitet studenteve nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë.
Ata që refuzojnë kontratën do të paguajnë 2.4 milion leke të vjetra tarifën e shkollimit. Të pyetur në lidhje me bojkotin e studentëve, drejtues të Fakultetit të Mjekësisë thonë se po zbatojnë ligjin ashtu siç duhet të veprojnë edhe studentët.