Dita e sotme ka shënuar rekord temperaturash pasi termometri ka arritur 43 gradë. Meteorologët parashikojnë këto temperatura edhe për ditën e premte edhe pse në disa zona mund të ketë rrebeshe shiu.
“Do të këtë vranësira kryesisht në zona malore të cilat mund të shkaktojnë reshje madje në forme rrebeshi”.
Ndërkohë që edhe të shtunën pritet rënie e temperaturave. Meteorologët thonë se këtë vit është thyer rekordi me temperaturat e larta si asnjëherë tjetër në zonat malore ku në Peshkopi termometri ka shënuar 40 gradë Celcius.
Disa pjesë të Evropës janë nën një valë të nxehti që ka nisur me fillimin e muajit dhe parashikohet të zgjasë edhe për dy javë të tjera. Valët historike të të nxehtit me temperatura që kalojnë pragun e 40 °C në ditë janë më intensivet në të gjithë gadishullin Ballkanik dhe Evropën Lindore.
Temperaturat i kanë kaluar kudo 30 gradë, ndërsa mbi 40 janë regjistruar në Rumani, Serbi, Shqipëri, Bullgari, Bosnje, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi ditët e fundit.
Korriku njihet si muaji më i nxehtë i verës, por temperaturat këto ditë dhe në 7-10 ditët në vijim do të jenë shumë më të larta se mesatarja.
