fbpx

Filmi “Alexander”, kandidatura e Shqipërisë për edicionin e 96- të të çmimeve “Oscar”

Blloku min lexim

Filmi “Alexander” është kandidatura e Shqipërisë në kategorinë “International Feature Film”, edicioni i 96-të i çmimeve “Oscar”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi dje se komisioni pranë saj përzgjodhi filmin dokumentar me regji nga Ardit Sadiku.  

QKK shprehet se në këtë film dokumentar nga Ardit Sadiku sakrificat e shqiptarëve për liri janë subjekt i tij. “Një ngjarje sa e rrallë, dhe po aq përfaqësuese e shumë të tjerave që dëshmojnë sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve për liri, është subjekti i këtij dokumentari.

Kjo është historia e mekanikut të flotës detare Aleksandër Gruda, i cili në vitin 1990 rrëmbeu një anije luftarake dhe u arratis nga Shqipëria. Liria për të dhe familjen e tij, erdhi vetëm në këmbim të një sakrifice të madhe”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

QKK shprehet se përzgjedhja e filmit dokumentar “Aleksandër” u bë nga komisioni që përbëhej nga z. Arben LAMI (kryetar) dhe anëtarë: znj. Gerta Qurku, z. Eno Milkani, z. Genc Përmeti dhe z. Florenc Papas”. Ky është dhe film dokumentar i parë, që është kandidaturë e vendit tonë për çmimet “Oscar”.

Çmimet do të akordohen nga The Academy of Motion Pictures Arts and Sciences në ceremoninë e përvitshme, më 10 mars 2024.