Festivali i Këngës në RTSH nuk i ofroi publikut atë që prisnin, këngën e bukur shqiptare. Festivali këtë vit shënoi edicionin e 62, por ishte zhgënjyes, çka bëri që shumë artistë të njohur të kërkonin me të drejtë një festival të këngës së bukur shqiptare. Edhe pse u pohua më parë se për të arritur në këtë edicion ishte bërë një punë që kishte vijuar disa muaj përpara, sërish festivali në RTSH ngjalli shumë reagime. Festivalit edhe këtë vit i munguan emrat e njohur të këngës së lehtë ndër vite.
Nga 31 pjesëmarrësit në garë dominuan të rinjtë. Shumica prej atyre që ishin në garë, kishin zgjedhur të realizonin vetë tekstet dhe muzikën e këngës performuese, ndonëse pati edhe përjashtime. Kompozitori Spartak Tili “Mjeshtër i Madh” ish drejtues artistik i festivaleve në RTSH nga viti 1980 -1990, kompozitori Enver Shëngjergji “Mjeshtër i Madh”, kantautori Çlirim Denaj dhe dramaturgu Stefan Çapaliku shprehen me kritika për “Fest 62”, ku sipas tyre ka humbur kënga e bukur shqiptare.

Ata thonë si në këngë, moderim apo dhe pjesa e spektaklit linte shumë për të dëshiruar në festival. Krijuesit e njohur shprehen se përveç këngëve me tekste të dobëta dhe problemet në muzikë, edhe problemet teknike nuk munguan në netët e festivalit. Në natën e tretë u interpretuan këngët e vërteta shqiptare edhe pse me shumë mungesa të ikonave të këngës, dukej diferenca që kishte ajo natë e nostalgjisë me këngët në konkurrim në Festivalin e 62 në RTSH.
E zgjedhur nga publiku përmes televotimit këngëtarja Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2024”, që do të mbahet nga 7-11 maj në Malmo të Suedisë me këngën “Zemrën n’dorë”. Ndërsa mes 22 finalistëve çmimin e parë nga juria e festivalit e fitoi këngëtari nga Kosova Mal Retkoceri, me këngën “Çmendur”.

Kënga “Çmendur” është një kompozim i vet Malit, i cili po ashtu ka shkruar edhe vargjet e tekstit dhe ka realizuar edhe orkestrimin. Festivali këtë vit u zhvillua në Pallatin e Kongreseve nga data 19 deri më 22 dhjetor. Anëtarët e jurisë këtë vit ishin Shpëtim Kushta, Zana Shuteriqi, Helena Kadare, Nasha Lako, Aleksandër Gjoka, Adelina Ismaili, Fitnete Tuda, Indrit Mesiti, Victor Van Vought dhe Shkumbin Ahmetxheka.
Spartak Tili: Nuk ndjeva aromën e këngës shqiptare