Kurban Bajrami, kreu i KMSH-së: Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve!

BllokuTV
Nga
min lexim

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, në një postim në rrjetet sociale ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. 

“Nga zemra ju uroj gëzuar Kurban Bajramin! Paçi gëzime në familjet tuaja, Zoti i madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë, Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën. Gëzuar!”, shprehet Spahiu. 

Mijëra besimtarë u mblodhën mëngjesin e sotëm në sheshet kryesore për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Kurban Bajrami është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, tjetri është Fitër Bajrami. Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tri pjesë, familja mban një pjesë, pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Ndryshe është njohur edhe si Bajrami i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë.

Në kalendarin hixhri, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin Gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Shpërnda artikullin