Autoriteti fetar i Vatikanit ka deklaruar të hënën se kleri katolik mund të bekojë çiftet homoseksuale. Deklarata u bë nga Dikasteri për Doktrinën e Besimit dhe u miratua nga Papa Françesku.
“Këto bekime nuk duhet të kryhen me asnjë rit kishtar që ofron përshtypjen e një martese. Doktrina në lidhje me martesën nuk ndryshon dhe bekimi nuk nënkupton miratimin e bashkimit. Kur dy persona kërkojnë bekim, edhe nëse gjendja e tyre në çift është ‘e parregullt’, do të jetë e mundur që ministri i emëruar të japë pëlqimin. Sidoqoftë, ky gjest i afërsisë baritore duhet të shmangë çdo element që i ngjan nga distanca një riti martesor”, thuhet në deklaratë.