“Universal Music” po tërheq miliona këngë të saj nga rrjeti social “TikTok”, pasi negociatat e tyre për pagesën dështuan. Lëvizja mund të nënkuptojë që përdoruesit e platformës nuk do të kenë më akses në këngët e artistëve si Taylor Swift, The Weeknd dhe Drake. Që nga 31 janari, ku përfundoi edhe kontrata mes Tik-Tok dhe Universal, ky i fundit vendosi të mos e rinovojë më atë.
Universal ka akuzuar “TikTok”-un për përfitim dhe pretendon se rrjeti social ishte i gatshëm të paguante vetëm një “pjesë” të asaj që paguajnë rrjetet e tjera për qasje në katalogun e tyre të gjerë.
Megjithatë, përfaqësuesit e platformës pretendojnë se “Universal” ka bërë një deklaratë të pavërtetë.
“Është e trishtueshme dhe zhgënjyese që Universal Music Group ka vënë lakminë e tyre mbi interesat e artistëve dhe kompozitorëve të tyre. Pavarësisht retorikës së rreme të Universal, fakti është se ata kanë zgjedhur të largohen nga mbështetja e fuqishme e një platforme me mbi një miliard përdorues që shërben si një mjet promovues dhe zbulues falas për talentin e tyre.
Tik- Tok ka arritur të arrijë marrëveshje ‘artisti i pari’ me çdo etiketë dhe botues tjetër. Është e qartë se veprimet egoiste të Universal nuk janë në interesin më të mirë të artistëve, kompozitorëve dhe fansave”, kanë deklaruar përfaqësuesit e Tik-Tok.
Çka do të thotë se të gjithë ata personazhe që në videot Tik- Tok përdorin këngët përkatëse që janë fshirë, tashmë videot e tyre janë mute, pa zë dhe pa asnjë kuptim.