Paraditen e sotme arti në vend u përballë me një lajm të trishtë; u nda jeta në moshën 73-vjeçarin artisti i madh i humorit Shkodran, Zef Deda, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Pas lajmit të hidhur kanë folur kolegë të Zefit, artistë dhe miq të tij. Shok fëmijërie i tij, regjisori dhe kompozitori Osman Mula, shprehet se e ka ndjerë veten shumë keq në momentin që mori vesh lajmin e hidhur.Ai shton se me Zefin kanë qenë shok që fëmijë dhe deri në adoleshencë kanë qenë si “Loli me Colin”, kudo bashkë.
“E ndjeva veten keq, sepse Zefin e kam pas shokun më të ngushtë që i vogël. Kemi qenë si Coli me Lolin. Ishte një djalë i mrekullueshëm, xhevahir. Njeri social, nuk donte me pa keq, donte vetëm gëzim”, tha Mula.
Mes pikëllimit Sejfulla Myftari, i njohur si Cekja i Beratit, tregoi njohjen e tij të hershme me aktorin Zef Deda. Cekja tha se në takimin e fundit kishte kujtuar shfaqjet e tyre që kishin luajtur bashkë.
“Me Zefin kam punuar. E kam pasur shok dhe mik. Është humbje e madhe për artin. Nuk kam fjalë, s’di ça të them më. Që nga vitit 73 që punoja me Zefin. Kujtuam ato që kemi luajtur bashkë. Kemi pasur hyrje-dalje. Aktor i mrekullueshëm, njeri i shkëlqyer”, tha ai.
Aktori i njohur i humorit, Edmond Halili ka treguar se mëngjesin e sotëm ishte nisur nga Durrësi për të takuar Zef Dedën, por nuk mundi ta takojë dot, pasi në momentin që mbërriti tek dera e shtëpisë së tij në Shkodër, mjeshtri i humorit u nda nga jeta.
“Sot në mëngjes u nisa nga Durrësi për ta takuar. E dija që ishte i sëmurë sepse bëra një shfaqje në Shkodër se takova dot sepse ishte i zënë, Sa shkova tek dera e shtëpisë, doli një infermiere i thashë si është Zefi, tha “Zefi dha shpirt”. Më erdhi shumë keq, e kisha shokë të vjetër. Është një dhimbje e madhe, është humbje e madhe për të gjithë humorin shqiptar”, tha ai.
Rita Gjeka, drejtoresha e teatrit “Migjeni” në Shkodër ta se Deda ishte një drita e një epoke të ndritur për teatrin “Migjeni”. Ajo tha se amaneti i Dedës për të ngritur sa më shumë teatrin do të realizohet.
“Edhe pse diferenca në moshë me Zefin nuk është e madhe, e kam pasur idhull. Ai ka qenë një aktor jo vetëm i madh, por fenomeni Zef Deda. Ka lënë një epokë. Ne kemi jetuar atë epokë dhe ai ka qenë drita. Ai e donte shumë estradën dhe dëshira e tij ishte që të ngrihej sa më shumë.
Amaneti që ka lënë, do të bëhet realitet. Edhe në drejtimin e teatrit që e ka marrë Kuliçi, do të plotësohet amaneti i Zefit. Iku në një moshë krejt të re. Edhe në rini ka pasur disa probleme me këmbët. Por i kapërcente me humorin e tij. Tani e këputu sëmundja e keqe. Nuk kam shkuar ta takoj, pasi kisha qejf që ta mbaja mend Zefin ashtu siç më parë.
Zefin e ka dashur gjithë populli, të gjithë e kanë vlerësuar. Edhe opozita dhe pozita, mendoj se është shpërblyer. E ka marrë dhe pensionin e veçantë, të paktën nuk ngeli fukara. Ka pasur të ardhurat e veta, edhe pse kishte dy djem të mrekullueshëm. Shokun Xhemal, atë e veçoj si rol”, tha ajo.
Zef Deda njihej ndryshe si “Charlie Chaplin” shqiptarë, do mbetet një ikonë e humorit.