Kliti Roshi, i biri i kolosit të artit shqiptar, Kadri Roshi, gjatë një interviste televizive foli për jetën dhe punën e aktorit të madh dhe kontributin mbresëlënës që ai la pas.
“Të gjithë artistët e brezit dhe plejadës së Kadri Roshit kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë të gjallë. Ata nuk kanë datë tjetër veçse atë të lindjes. Ky është fati i artistëve të vërtetë,” tha z. Roshi.
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Kliti Roshi do të organizojë një aktivitet në nder të artistit të madh.
“Është një aktivitet i cili ka tre vjet që më ka lindur në mendje dhe mund të them me gojën plot që është bërë me iniciativën e familjes. Ka pasur ndihma nga kompani të ndryshme private dhe shtetërore. Po plotësoj një boshllëk timin që e ndieja vërtet si një borxh ndaj tij, prandaj mendova që për 100-vjetorin të organizoja diçka të bukur, ku vlera e së tërës është të kujtohen dhe të mos zhduken, se ‘nuk është vdekje kur mbulohesh me dhe. Vdekja e vërtet është harresa’,” tha z. Roshi.