Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë ka reaguar ndaj “çështjes së Noizy-t”. Ai tha se zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi është kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryhen për sherrin që ndodhi në klubin e natës në Pejë, ku u përfshi edhe reperi Noizy.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), dënon kërcënimin që i është bërë Zyrtarit të Lartë për Komunikim me Publikun në Prokurorinë Themelore të Pejës, z.Shkodran Nikçit, të cilat vijnë si rrjedhojë prononcimeve të punës së tij zyrtare lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e sherrit në një diskotekë në Pejë, ku ishin të përfshirë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese dhe autoritetet shqiptare do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe do ta trajtojnë me seriozitet të lartë këtë çështje, në mënyrë që kërcënuesi të përgjigjet para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Noizy ndodhet aktualisht në paraburgim, në pritje të ekstradimit drejt Kosovës, ku do të përballet me akuzën e lëndimit të rëndë trupor.Avokati i Noizy-t, Besnik Berisha i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se përveç faktit që reperi nuk ishte vetë pjesëmarrës në sherr, i plagosuri nuk ka lëndime të rënda por të lehta. Berisha shton se Prokuroria Themelore e Pejës nuk ka treguar guximin e nevojshëm për të siguruar aktin e ekspertimit të dokumentacionit mjekësor, duke sugjeruar se ata nuk janë në gjendje të kundërshtojnë pretendimet e tij.
Noizy dhe miku i tij Bahtjar Bajraktari (DJ CRAX) janë vënë në pranga, ndërsa Stresi është shpallur në kërkim. Ata akuzohen se disa ditë më parë, janë përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se dhunuan Medi Isenin. Ky i fundit pretendon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Edhe Noizy në një reagim para arrestimit, u shpreh se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe i është bërë padrejtësi. Prokuroria e Pejës po heton çështjen.