Tenori më në zë i muzikës shqiptare, Kastriot Tusha ishte i ftuari kryesor i spektaklit “Një natë sa një jetë” i Blerta Tafanit në RTSH-1HD. Mjeshtri i Madh ka treguar rrugëtimin e karrierës së tij, duke nisur që në hapat e parë.
E ndonëse sot mund të duket e pamundur, të madhit Kastriot Tusha iu desh të konkurronte për herë të dytë në Akademinë e Arteve në mënyrë që të pranohej. Ai tregon se ishte pikërisht takimi i rastësishëm me tenorin Gaqo Çako që e ndihmoi atë në fillimin e rrugës së gjatë dhe të suksesshme të artit.
“Vitin e parë nuk e fitova, me thënë të drejtën, nuk isha përgatitur tamam. Rastësisht vjen në Elbasan Profesor Gaqo bashkë me Luzinë, të shoqen, shansi im i madh. Prezantohem, si natyrë e ëmbël që jam, unë bëja stazhin kamerier në turizëm ata po shkonim me pushime në llixhë. Aty unë prezantohem, thotë do shkëputem do vij një ditë të të dëgjoj. Lëmë një takim dhe siç e kishte natyrën profesori që nuk kënaqej kurrë, duhet të punosh shumë tha se kështu nuk fiton. Megjithatë pas disa mësimesh fillova ta marr seriozisht dhe fitoj konkursin dhe të filloj Akademinë e Arteve”, u shpreh Tusha.